(Farke-Lanabregas-Shtish Tufina)

Pikënisja e këtij shtegu është në Farkë, jo larg repartit ushtarak të helikopterëve. Aty mund të shkohet ose nëpëmjet linjës urbane të Shkozës, ose nëpërmjet autobuzëve të Farkës, Lundrës ose Surrelit, të cilët nisen nga terminali i autobuzëve në qytetin Studenti. Fillimi është në rrugë nacionale në asfalt, por shumë shpejt dilet nga kjo rrugë dhe pasi kalohet një përrua i vogël, fillon ngjitja në një kodër me dhe të kuqërremtë. Në majë të kodrës shfaqen tunele, bunkerë dhe tabela e shenja ushtarake - të gjitha të ndërtuara para viteve 1990 dhe të braktisura nga ushtria shqiptare. Zbritet kodra në fshatin Surrel, dhe kalohet përgjatë liqenit të këtij fshati, i cili ka pamje mjaft piktoreske.

Pas liqenit, shtigjet të ccojnë sërish tatëpjetë, drejt një tjetër kodre ish zonë ushtarake, me tunele, bunkerë dhe sinjalistikë ushtarake. Kur zbritet kodra, shtegu të nxjerr në rrugën nacionale e cila vjen nga Tirana nëpërmjet Shkozës. Këtu mund të kthehesh majtas drejt Tiranës, dhe të marrësh autobuzin e linjës urbane për t’u kthyer në Tiranë. Ose mund të kthehesh djathtas, dhe të vazhdosh shtegun e bunkerëve. Djathtas rruga është e asfaltuar deri në afërsi të kafenesë ‘Starship’, ku shkëputemi nga rruga nacionale për të vazhduar në një rrugë fshati me ccakull, e cila të ccon drejt liqenit të Lanabregasit. Më pas, rruga e fshatit vazhdon e asfaltuar dhe të nxjerr në rrugën nacionale pranë fshatit Linzë.

Rruga nacionale kalohet dhe vazhdohet rruga e fshatit Linzë, e cila kalon përmes disa shtëpish të vjetra prej guri, dhe poshtë linjës së teleferikut Dajti Ekspres. Aty ku mbaron fshati, merret një rrugë majtas, e cila shumë shpejt shdërrohet në shteg, i cili kalon mes një tjetër rrjeti tunelesh dhe bunkerësh. Shtegu kalon në kreshtën e kodrës, dhe në krahun e majtë të saj duket qartë kodra e varrezave të Tufinës, një nga dy varrezat më të mëdha të qytetit të Tiranës. Shtegu zbret në rrugën kryesore që të ccon në varreza, nga ku mund të merret autobuzi i linjës urbane, i cili shkon drejt qendrës së qytetit nëpërmjet rrugës së Dibrës.