(Petrelë-Shpat-Baldushk)

Pika e nisjes dhe e mbërritjes është fshati historik i Petrelës. Për të arritur në Petrelë duhet të merret autobuz i linjës, i cili niset nga terminali i autobuzëve te qyteti Studenti. Nga qendra e Petrelës kalohet në rrugët e tij me kalldrëm, të cilat shndërrohen në rrugë fshati kur përfundojnë shtëpitë, dhe më pas në shtigje. Kodra e Tefës ka rrugë asfalti dhe është tatëpjetë. Në majë të kodrës gjendet një bar restorant me emrin ‘Raketa’ - emri vjen nga një bazë ushtarake kundër ajrorësh që gjendet përballë me restorantin, por që tashmë nuk është më funksionale.

Te restorant ‘Raketa’ dilet fillojnë sërish shtigjet, deri në fshatin Shpatë. Aty gjendet ‘Cezma e Mamicës’, një monument kulture që lidhet me emrin e motrës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti. Më pas, ndiqet një rrugë fshati, e cila të nxjerr në rrugën kryesore nacionale të Baldushkut. Pasi ecën vetëm 30 metra djathtas (këtu gjendet edhe një kafene), kthehesh prapë djathtas. Pas disa minutash shfaqet liqeni i Rrovës, përgjatë të cilit vazhdon rruga. Kjo rrugë të nxjerr sërish në majë të kodrës së Tefës, pranë bar restorant ‘Raketa’, nga ku ndiqet e njëjta rrugë për t’u kthyer në Petrelë.