(Vaqarr-Allgjatë-Kashar)

Pikënisja është fshati Vaqarr, i cili mund të arrihet ose me autobuzët e linjës që nisen nga stacioni i autobuzëve te 21 Dhjetori, ose me linjën urbane të Sharrës L12, e cila shkon deri në afërsi të Vaqarrit. Fillimi është një ecje përmes shtëpish në një rrugë fshati, buzë kodrave të Lalmit. Më pas, aty ku rruga afrohet me lumin Erzen, marrim djathtas drejt fshatit Allgjatë. Pas Allgjatës, rruga kthehet në shteg, dhe kalon përmes liqenit të këtij fshati. Pas liqenit, shtegu të ccon tatëpjetë në një kodër, ku në majë të saj gjendet një platformë e sheshtë. Sipas legjendave lokale, deri para disa dhjetëvjeccarësh në atë platformë gjendeshin rrënojat e kishës së Allgjatës.

Në anën tjetër të kodrës duket fshati Kus dhe më poshtë në të djathtë duket liqeni i Kusit. Rruga është e asfaltuar deri në zbritje të kodrës. Më pas ndiqet rruga përgjatë digës së liqenit, e cila kthehet në shteg, derisa arrin në stacionin e rulotave ‘Camping Tirana’ - një vend me një pamje shumë të bukur të liqenit dhe kodrave përreth tij, me një mol për varka të vogla, dhe me një vresht. ‘Camping Tirana’ është gjithashtu një vend i përsosur për të pushuar e për t’u njohur me turistë të huaj që kanë vendosur të vizitojnë Shqipërinë me rulota - shtëpi lëvizëse.

Më pas ndiqet një rrugë fshati, e cila të nxjerr në fshatin Kashar, dhe kalon përgjatë liqenit të këtij fshati, deri në rrugën dytësore përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Aty gjendet edhe stacioni i autobuzit që të kthen drejt Tiranës.