Tiranë – Stërmas- Petrelë

Pikënisja është hyrja e parkut të madh të Tiranës. Rruga nis përmes rrugëve të parkut, derisa arrihet në daljen në skajin jugor të tij. Aty kalohet poshtë unazës së madhe jugore dhe kalohet në një rrugë të asfaltuar që të çon drejt Saukut dhe më pas Mjull Bathores. Më pas rruga e asfaltuar shndërrohet në rrugë fshati, dhe shtëpitë rrallohen derisa zhduken. Por nëse e kthen kokën prapa, Tirana është gjithnjë e dukshme. Ngjitet kodra e Stërmasit, në majë të së cilës gjenden antena komunikimi, dhe rruga përfundon aty. Në anën tjetër të kodrës fillojnë shtigjet, dhe Tirana nuk duket më.

Poshtë kodrës duket fshati Stërmas, dhe në distancë fushat e kultivuara të luginës së lumit Erzen. Më tutje duket qartë edhe kalaja e Petrelës. Zbritja është normale dhe përfundon në fshatin Stërmas. Pas këtij fshati ecet në rrugën nacionale dhe pasi kalohet një urë një-kalimëshe mbi lumin Erzen. Pas kësaj ure, shkëputemi nga rruga nacionale për të vazhduar në një rrugë fshati, mes fushash të mbjella. Kalohet një urë këmbësorësh mbi një përrua, dhe më pas fillon tatëpjeta që të çon fillimisht në fshatin Zaranikë, dhe më pas në Petrelë. Nga qendra e Petrelës mund të merret autobuzi i linjës së Tiranës, i cili ndalon në terminalin e autobuzëve në qytetin Studenti.