(Shtegu Pezë e vogël-Gjyzylkane-Karinë)

Peza është një fshat piktoresk, plot gjelbërim dhe histori. Në sheshin e madh që ka përmasat e një parku të madh, ndodhet edhe shtëpia e vjetër e Myslim Pezës, patriotit që ishte një ndër organizatorët e të famshmes Konferenca e Pezës.
Ndërsa shtëpia e vjetër e Myslim Pezës i jep këtij fshati një rëndësi historike dhe turistike njëkohësisht, pasi kushdo që vjen për herë të parë, i viziton me radhë lapidarët dhe monumentet historike duke bërë edhe foto si kujtim.

Banorët e Pezës shquhen për traditat dhe vlerat e karakterit të tyre: njerëz shumë bujarë dhe mikpritës. Banorët, janë ata që më së shumti janë munduar që në vite të tërheqin drejt zonës turistë, për të cilët thonë se Peza nuk ofron vetëm histori.

Historia
Duke u ndalur tek historia, detaji që e bëri të njohur Pezën për të gjithë, në qendër të fshatit është edhe muzeumi i rikonstruktuar viteve të fundit, aty ku gjen një mori dokumentesh dhe fotografish të cilat flasin për historinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Në këtë fshat është mbajtur konferenca e parë Nacional Çlirimtare në Europë, çka përbën edhe kuriozitetin më të madh të turistëve.
Muzeu qëndron i hapur gjatë gjithë kohës dhe ofron fakte historike që janë ruajtur ndër dekada, edhe në arkiva të ndryshme brenda e jashtë vendit.

Lapidari i Saukut, Lapidari i Deshmoreve 15-25.12.1942 (Ballashej)

Në lartësi të kodrës së Saukut, në kurorën e gjelbër mbi Liqenin Artificial, ngrihet dukshëm një monument i kujtesës së Luftës së Dytë Botërore. Lapidari, i ashtuquajtur i Saukut, i kushtohet një akti heroik të Brigadës së Tretë Sulmuese, e cila qëlloi me top “Kuvendin Kombëtar” që ka hyrë në historinë e pasluftës me emërtimin asamblea kuislinge ose tradhtare. Pas kapitullimit të Italisë dhe pushtimit gjerman, nazistët ngritën Komitetin e Përkohshëm që do drejtonte punët deri në zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese dhe do ligjëronte pushtimin e Shqipërisë.
Gjatë natës së 18 tetorit në lartësinë e kodrës së Saukut u vendos topi dhe në mëngjes, dy partizanë dhe një artilier italian, morën shenjestër dhe qëlluan mbi Pallatin Viktor Emanueli (sot Pallati i Brigadave). Shenjestra u arrit dhe jo vetëm Kuvendi nuk u mbajt, por edhe bateritë gjermane të vendosura në juglindje të pallatit u tërhoqën në kazerma.