(Pezë-Helmes-Shesh-Ndroq)

Pikënisja është nga qendra e fshatit Pezë Helmës. Aty mund të arrihet nëpërmjet autobuzit të linjës Tiranë-Ndroq ose Tiranë-Peze e madhe, duke ndaluar pak para kthesës së Pezës. Kjo udhë nuk ka shtigje, është e realizueshme me biccikletë, dhe kalon gati krejtësisht në rrugë fshati. Fillimi është vetëm tatëpjetë, deri kur arrin në fshatin Shesh. Aty gjenden me qindra shtëpi të vjetra karakteristike të zonës, të gjitha prej guri. Kodra është e mbjellur me vreshta dhe ka kantina vere kudo. Në fakt varietetet ‘Shesh i bardhë’ dhe ‘Shesh i zi’ vijnë pikërisht nga ky fshat. Nga Sheshi mund të vërehen qartë Tirana, Kruja, kalaja e Ndroqit, plazhi dhe qyteti i Durrësit, kepi i Rodonit, dhe i gjithë bregdeti verior i detit Adriatik.

Më pas kalohet nëpër fshatrat Sauqet dhe Pinet, të cilët gjithashtu kanë plantacione vreshtash, të mirëmbajtura nga banorët. Ajo përfundon në afërsi të fshatit Ndroq. Për t’u kthyer në Tiranë mund të merret autobuzi i linjës Ndroq-Tiranë, ose ccdo autobuz tjetër me tabelë Tirana.